fbpx

Performanca e Investimeve të Fondit Slloveno – Kosovar të Pensioneve në vitin 2022

Performanca e investimeve të Fondit Slloveno – Kosovar të Pensioneve për vitin 2022 ishte -10.66% (2021 Performanca e investimeve ishte 10.02%). Mirëpo përkundër performancës negative në vitin 2022, FONDI ka arritur të realizoj kthim të kënaqshëm pozitiv, ku prej vitit 2007 deri në Dhjetor të vitit 2022 kthimi kumulativ ishte në nivel prej 81.24%. Vlen të theksohet se viti 2021 ka qenë mjaft i suksesshëm sa i përket performancës së investimeve, ku kthimi kumulativ nga investimet ka arritur nivel rekord prej 102.85%.

Performanca e Fondit Slloveno – Kosovar të Pensioneve nga viti 2010 – Shkurt, 2023

Viti 2022 ishte një vit i trazuar për ekonominë globale. Një seri ngjarjesh globale shkaktuan dhe përkeqësuan një mjedis tashmë të paqëndrueshëm ekonomik që mezi është rikuperuar plotësisht nga kriza e lidhur me pandeminë Covid-19. Pushtimi rus i Ukrainës në fillim të vitit të kaluar shkaktoi rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, e cila si pasojë bëri që shumë vende të regjistronin normat më të larta të inflacionit në historinë e fundit. Për të frenuar inflacionin, bankat qendrore u përgjigjën duke rritur normat e interesit.

FED ishte i pari që shtrëngoi politikën monetare, duke rritur interesin bazë me 4 pikë deri në fund të vitit. BQE (Banka Qëndrore Europiane) rriti normat e interesit katër herë me rritje totale prej 2.5 pikë përqindjeje, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë 8-vjeçare të normave negative të interesit. E gjithë kjo pati një ndikim të fortë në tregjet globale të aksioneve dhe të obligacioneve, të cilat shënuan humbjet më të mëdha që nga kriza financiare globale, duke u zhvendosur nga tregu i demit (Bull Market) në treg të ari-ut (Bear Market) në vitin 2022. Së bashku me rritjen e normave të interesit, normat e pritura të interesit nga obligacionet u rriten dhe çmimet e obligacioneve ranë (obligacionet çmimi dhe norma e pritur e interesit lëvizin në drejtime të kundërta), duke e bërë vitin 2022 një nga vitet më të këqija në historinë e klasës së investimeve në obligacione. Ashtu si tregjet e aksioneve, tregjet e obligacioneve, pavarësisht se karakterizohen si një klasë investimi më konservatore, humbën më shumë se 10% në vitin 2022.
Rritja globale pritet të ngadalësohet në 2.9 për qind në 2023 përpara se të kthehet në 3.1 për qind në 2024, nga 3.4 për qind në 2022. Parashikimi i ulët i rritjes për vitin 2023 reflekton si rritjen e normave të bankës qendrore për të luftuar inflacionin, veçanërisht në ekonomitë e zhvilluara, ashtu edhe luftën në Ukrainë. I

nflacioni global pritet të bjerë nga 8.8% në 2022 në 6.6% në 2023 dhe 4.3% në 2024, ndërsa mbetet më i lartë se niveli 3.5% para pandemisë (2017-19). Kjo është për shkak të rënies së çmimeve ndërkombëtare të mallrave, si dhe efekteve të shtrëngimit të politikës monetare në inflacionin themelor (bazë). Për shkak të tensionit midis rreziqeve të recesionit dhe pasigurisë së politikës monetare, tregjet do të përballen me paqëndrueshmëri më të lartë. Bankat Qendrore mund të ulin rritjen e normave të interesit, megjithatë do t'i duhet t'i mbajë ato më të larta për më gjatë për të kontrolluar inflacionin. Likuiditeti i tregut pritet të mbetet sfidues me shtrëngimin sasior në vazhdim.