Sigurimi Kolektiv
Personat që duan të kyçen në sigurimin kolektiv pensional suplementar mund ta bëjnë në këto mënyra:
- Kolektive – Kur kontributin e paguan vetëm punëdhënësi
- E kombinuar – Kur kontributin e paguan punëdhënësi bashkë me punonjësin
- Individuale – Kur kontributin e paguajnë vetëm punonjësit
Sigurimi kolektiv pensional suplementar (SKPS) përfaqëson njërën nga dy format e kyçjes dhe të implementimit të skemave pensionale suplementare.
Varësisht nga kategoritë e personave të cilët dëshirojnë të kyçen në fond, Plani pensional i FONDI-t mundëson edhe skemat kolektive të kyçjes për të gjithë punonjësit në tërë Kosovën, nëpërmjet institucionit ose ndërmarrjes ku ata janë të punësuar.
Punëtorët (punëmarrësit), në bazë të Planit pensional, mund të kyçen kolektivisht në skemat pensionale suplementare me vullnet të lirë, dhe atë ashtu që punëdhënësit e tyre paraprakisht të miratojnë këtë Plan pensional dhe të obligohen të paguajnë tërësisht, gjegjësisht një pjesë të kontributit pensional për ta.
Sigurimi kolektiv pensional suplementar (për punëdhënësit dhe punëtorët) mund të implementohet në këto mënyra:
Punëdhënësi pranon të paguajë kontributet pensionale për punëtorët e tij në lartësinë deri 10% mbi pagat bruto të tyre; dhe
Punëdhënësi dhe punëtorët (të siguruarit) bien dakord të kontribuojnë në lartësi deri 20% të pagës të tyre (secili nga 10%).
Plani pensional i FONDI-t, në nenet e tij, ka paraparë edhe kushtet dhe kërkesat ligjore që dalin nga implementimi i SKPS.
Punëdhënësi kyçet në SKPS dhe atë që:
Pranon kushtet e sigurimit pensional suplementar, të caktuara në Plan pensional, si kushtet të Planit Pensional të cilin do ta financojë në të ardhmen; dhe
Për punëtorët (të siguruarit), të cilët nëpërmjet tij do të kyçen kolektivisht në këtë Plan pensional, deklarohet se do të paguajë në tërësi ose një pjesë të kontributit pensional.
Punëdhënësi dhe FONDI lidhin kontratë për hyrje në Planin e pensioneve.
Kontrata hyrëse ndërmjet FONDI-t dhe Punëdhënësi përmban këto parametra:
Të dhënat rreth dy palëve kontraktuese.
Deklarata që Punëdhënësi pajtohet me kushtet e kyçjes në Planin pensional
Të dhëna për kontributin që e pranon ta paguajë Punëdhënësi për gjithë të punësuarit e vetë (punëtori paraprakisht autorizon punëdhënësit për pagesën e kontributit pensional).
Kontratës për hyrje në Planin pensional, punëdhënësi nevojitet t’i bashkëngjis kontratat hyrëse të të punësuarve, të cilët do të jenë të kyçur nëpërmjet të tij kolektivisht në këtë Plan pensional.
Sigurimi individual pensional plotësues u është dedikuar personave që kanë statusin e të vetpunësuarit dhe atyre që konsiderohen si të papunë. Mirëpo, kjo s’do të thotë që individët që janë të punësuar në ndonjë ndërmarrje ose kompani nuk mund të realizojnë kyçje individuale. Kërkohet vetëm vullneti dhe gatishmëria e tyre dhe kyçja realizohet shumë shpejtë. Dëshira e tyre për t’u kyçur individualisht në këtë formë të sigurimit bëhet realitet me lidhjen e marrëveshjes individuale me FOND-in. E të drejtë për arritje të një marrëveshje të tillë kanë të gjithë ata persona të cilët e kanë arritur moshën e paraparë me ligj për punësim.
Në përputhje me ligjin e punës në Kosovë, mosha tetëmbëdhjetëvjeçare (18) është mosha minimale për punësim ose punë. Edhe personat nën moshën 18 vjeçare mund të punësohen vetëm për disa punë specifike. Këto punë duhet të jenë të lehta, të cilat nuk e dëmtojnë shëndetin ose zhvillimin e personit dhe nuk e pengon atë për ndjekjen e mësimit në shkollë.
– Kontrata në mes punëdhënësit dhe FONDI-t
Në kontratë zgjidhet varianti A,B ose C. Varianti A do të thotë që vetëm punëdhënësi do të kontribuojë, kurse varianti B dhe C do të thotë që duhet të nënshkruhet kontratë individuale edhe me secilin punëtor. Pjesë përbërëse e kontratës është gjithashtu lista e punëtorëve te tij. Shembulli i kontratës Kolektive;
- Lista e punëtorëve
FONDI dërgon me e-mail formularin (tabelë në excel), i cili duhet të plotësohet nga ana e punëdhënësit me të dhënat e punëtorëve (emri, mbiemri, adresa, data e lindjes, etj.). Bashkë me formularin merret edhe udhëzimi se si të futen të dhënat në të. Këtë formular punëdhënësi pastaj e dërgon përmes postës elektronike në FOND. Në bazë të këtij formulari FOND-it u hap llogaritë individuale secilit punëtor të punëdhënësit në fjalë.
- Kontrata mes punëdhënësit dhe një përfaqësuesi të punëtorëve
Në rast se kontrata në mes të punëdhënësit dhe FONDI-t është e variantës B apo C, që nënkupton se edhe punëmarrësit dakordohen që të kursejnë në fond nga bruto pagat e tyre, atëherë punëdhënësi merr përsipër që të zbresë nga pagat e tyre bruto, përpos kontributit në Trust edhe kontributin në FOND. Në këtë rast çdo i punësuar e autorizon punëdhënësin që ta bëjë këtë zbritje. Ky autorizim bëhet me shkrim dhe nënshkruhet nga të dy palët e përmendura më lart. Në kompanitë e mëdha ku ka numër të madh të punëtorëve, punëtorët emërojnë një përfaqësues i cili në emër të tyre nënshkruan kontratën me punëdhënësin. Në bazë të këtij autorizimi punëdhënësi e paguan kontributin në FOND të zbritur nga bruto paga e punëmarrësve si një shumë totale;
– Formulari i pagesës në FOND
FONDI ia dërgon me postë elektronike punëdhënësit dy formularë (tabelë në excel) për formën e pagesës.
- Formulari për kontributet që i paguan punëdhënësi,
- Formulari për kontributet që punëdhënësi ua zbret punëtorëve nga pagat e tyre.
Punëdhënësi i paguan kontributet ndaras si dy shuma të veçanta, kontributet që i paguan ai si punëdhënës si një shumë, dhe kontributet që i zbret nga bruto pagat e punëmarrësve po ashtu si një shumë. Bashkangjitur me formularët, punëdhënësit i dërgohet edhe udhëzimi se si t’i përmbush ato.
– Vërtetimi
Në bazë të nënshkrimit të kontratës në mes FONDI-t dhe punëdhënësit të variantës A dhe B, atëherë çdo i punësuar për të cilin paguhet kontribut, merr një vërtetim me të cilin FONDI dëshmon se për atë individ është hapur llogaria individuale dhe se gjendja e mjeteve në llogarinë individuale është pronë e bartësit të asaj llogarie. Vërtetimet i’u dërgohen punëmarrësve në adresën e tyre të punës ose përmes e-mailit.
Plani pensional i FONDI-t përcakton llojet e shpenzimeve si dhe maksimumin e tyre:
Shpenzimet hyrëse (Entrance fee)
Shpenzimet hyrëse aplikohen në çdo pagesë të kontributit pensional. Plani pensional i FONDI-t përcakton shpenzimet hyrëse prej 3% mbi kontributin e paguar.
Shpenzimet e menaxhimit me mjetet (Management fee)
Shpenzimet e menaxhimit me mjetet llogaritën në bazë vjetore me koeficient prej 1.5% në totalin e mjeteve në Fond.
Shpenzimet e daljes nga sigurimi pensional (Exit fee), si në rastet:
- Në ndërprerjen e sigurimit pensional bazuar në këtë plan pensional, fondi vullnetar pensional ka të drejtën e tarifës dalëse prej:
- Gjer më 2%, për 10 vitet e para të sigurimit,
- Gjer më 1%, nëse sigurimi është më i gjatë se 10 vite,
- Gjer më 1%, në rast të vdekjes, nga vlera blerëse.
- në rast të transferimit në tjetër fond
- nëse janë paguar 120-180 kontribute mujore atëherë shpenzimet dalëse janë 2% të vlerës blerëse
- nëse janë paguar më tepër se 180 kontribute atëherë shpenzimet janë 1% të vlerës blerëse
Plani pensional i FONDI-t parasheh kategori të ndryshme të personave që mund të sigurohen në fond, si: punëdhënësit, të punësuarit, të vet punësuarit e madje edhe ata të cilët janë të papunë.
Kategoria e individit, në momentin kur ai kyçet në fond, përfaqëson njërin prej elementeve determinues të llojit të kontratës si dhe të vet sigurimit. P.sh.: kur punëdhënësi vendos të kyçet në fond atëherë ai lidh kontratë kolektive me FONDI-n. Në këtë rast bëhet fjalë për sigurim kolektiv pensional. Ose, nëse personi vendos të kyçet individualisht në fond, pa pjesëmarrjen e punëdhënësit, atëherë ai lidh kontratë individuale me FONDI-n. Në këtë rast flitet për kontratë individuale.
Ekzistojnë edhe dallime të tjera në mes të sigurimit kolektiv dhe atij individual. Këto dallime janë të natyrave të ndryshme, si teknike, implementuese, etj.
Sigurimi kolektiv pensional plotësues zakonisht implementohet në këto forma:
- punëdhënësi kontribuon për të punësuarit e vet në lartësi deri 10% mbi pagën bruto;
- punëdhënësi dhe punëtori kontribuojnë në lartësi deri 20% të pagës bruto (secili nga 10%).
Sigurimi individual pensional plotësues realizohet ashtu që i siguruari kyçet dhe kontribuon vetë pa pjesëmarrjen e punëdhënësit të tij. Kjo formë e sigurimit mundësohet me lidhjen e marrëveshjes individuale në mes FONDI-t dhe individit. I siguruari paguan kontributin çdo muaj, gjysmëvit, çdo vit apo pagesë të menjëhershme, pas kyçjes në sigurim.
Detyra kryesore e Bordit të Drejtorëve të FSKP-së është që asetet e klientëve menaxhohen dhe investohen në mënyra të kujdesshme dhe në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi.
Detyra kryesore e Bordit të Drejtorëve të FSKP-së është të sigurohet që astetet janë investuar në mënyrë të kujdesshme dhe në përputhje me kërkesat e ligjit.
Mjetet investohen në bazë të Ligjit Nr.04/L-101 mbi fondet pensionale në Kosovë si dhe rregulloret në fuqi nga Banka Qendrore e Kosovës.
Mjetet e investuara jashtë vendit;
Mjetet e Fondit Pensional mund të investohen vetëm në këto klasa ndërkombëtare të mjeteve:
- Fondet monetare, duke përfshirë llogaritë bankare dhe depozitat në banka që janë licencuar nga një organ rregullator bankar i shtetit që është anëtar i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillimin Ekonomik (OBZHE) dhe të cilat nuk janë nën masa të dhunshme ose licenca e tyre nuk i nënshtrohet pezullimit;
- Letrat me vlerë të emetuara nga ndonjë shtet anëtar i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OBZHE);
- Letrat me vlerë të emetuara nga qeveritë në shtetet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OBZHE) në masën që e garanton shteti përkatës;
- Letrat me vlerë të regjistruara në rregullatorin e tregjeve të kapitalit të cilitdo shtet anëtar i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OBZHE) me qëllim të përfshirjes së tyre në një ofertë publike, me kusht që këto letra me vlerë të figurojnë në bursën që i nënshtrohet mbikëqyrjes së rregullatorit të tregjeve të kapitalit;
- Fondet e përbashkëta dhe fondet e investimeve, që janë subjekt i miratimit në shtetin e themelimit, shtet ky që është anëtar i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik;
Mjetet e investuara brenda vendit;
- Fondet monetare, duke përfshirë llogaritë bankare dhe depozitat e bankave të licencuara nga BQK-ja, por që nuk janë nën masa të dhunshme dhe që nuk i nënshtrohen pezullimit të licencës së tyre;
- Letrat me Vlerë të Qeverisë së Kosovës;
- Letrat me vlerë të ndërmarrjeve (duke përfshirë veçmas stoqet dhe obligacionet) të regjistruara në ligjet e kapitalit të tregjeve në Kosovës dhe të plasuara përmes ofertës publike, me kusht që letrat e tilla me vlerë të jenë kuotuar në bursën e bursën e licencuar të letrave me vlerë në Kosovë ose në ndonjë juridiksion tjetër të shtetit anëtar të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OBZHE), varësisht nga mbikëqyrja e rregullatorit në fuqi të tregjeve të kapitalit dhe
- Fondet e përbashkëta dhe të investimeve varësisht nga miratimi i rregullatorit në Kosovë;
FONDI do të menaxhojë me mjetet e grumbulluara në llogaritë individuale në mënyrë që të realizoj të ardhura sa më të larta për anëtarët e saj dhe të ardhurat e realizuara nga investimi i këtyre mjeteve do ti derdhë proporcionalisht në llogaritë individuale të anëtarëve të fondit. Të siguruarve u takon 100% e fitimit të realizuar nga investimet.
Shoqëria do të veçoj pasurinë (asetet) e fondit pensional nga pasuria e vete dhe me te do të menaxhojë veçmas.
Për periudhën e kursimit, pasurinë e fondit suplementar Shoqëria do ta investojë në të gjithë llojet e investimeve të lejuara, në pajtim me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi.
Tërheqja e kursimeve pensionale bëhet;
I siguruari e fiton të drejtën për pensionim plotësues në bazë të këtij plani pensional, në momentin kur plotësohen të dy nga këto kushte;
Pensioni i rregullt
- Kur i siguruari arrin moshën 65 vjeçare
- Me sukses e fiton të drejtën për pension bazuar në rregullat për pension themelor, siç ceket në Ligjin për Fondet Pensionale
Pensioni i parakohshëm
I siguruari gëzon të drejtën për pension plotësues të hershëm, në datën kur plotësohen të dy kushtet në vijim;
- I siguruari nuk ka mbushur 65 vjet dhe me sukses fiton të drejtën për pension bazuar në rregullat për pension invalidor siç definohet në ligjet e Kosovës.
I siguruari gëzon të drejtën për pagesë të pensionit plotësues të parakohshëm pas plotësimit të këtyre kritereve:
- Dokumenti valid i lëshuar nga Ministria përkatëse si dëshmi për paaftësi në punë
- Dokument valid identifikimi
- Ekstrakti i lindjes
- Vërtetim i llogarisë bankare të lëshuar nga banka
FONDI përveç që është institucion i licensuar si sigurues i pensioneve, bënë gjithashtu edhe pagesën e pensioneve. Në vijim bëhet një përshkrim i mënyrës së kalkulimit dhe llojeve të pensionit, që zgjidhet nga i siguruari pasi që ai/ajo të arrijë moshën 65 vjeçare.
Me arritjen e moshës së pensionimit fitohet e drejta për tërheqjen e kursimeve pensionale në bazë të ligjit të pensioneve dhe rregullores mbi pagesën e pensioneve individuale:
Tërheqja e mjeteve pensionale realizohet përmes programit të tërheqjes në faza sikurse në vijim:
- Nëse vlera në llogarinë individuale të pjesëmarrësit është 3,000 euro ose më pak, Fondi paguan shumën totale si një pagesë e vetme.
- Nëse vlera e kontributeve pensionale në llogarit individuale të pjesëmarrësve është më e lartë se 3,000 euro deri në 20,000 euro pjesëmarrësi gëzon të drejtën e tërheqjes përnjëherë 20% të shumës së mjeteve pensionale nga llogaria individuale, ndërsa pjesa e mbetur e mjeteve duhet të paguhet përmes programit të tërheqjes në faza të propozuar nga Fondi. Minimumi i pensionit mujor nuk duhet të jetë nën vlerën prej 150 euro dhe programimi tërheqjes së mjeteve duhet të bëhet prej 3 – 10 vite.
- Nëse vlera në llogarinë e pjesëmarrësit është mbi 20,000 euro, pjesëmarrësi gëzon të drejtën e tërheqjes përnjëherë 20% të shumës së mjeteve pensionale nga llogaria individuale ndërsa pjesa e mbetur e mjeteve duhet të paguhet përmes programit të tërheqjes në faza prej 5 – 10 vite